Studentet e Fakultetit Juridik pjesëmarrëse të Shkollës Ndërkombëtare Verore në Studime Krahasuese të Konflikteve

Dy studente nga Fakulteti Juridik dhe pjesëmarrëse të kursit ”Mbështetje për Drejtesinë Tranzicionale”, Arlinda Salihi dhe Elsa Osmanaj morrën pjesë në Shkollën Ndërkombëtare Verore  në studime krahasuese të konflikteve të organizuar nga ‘Qendra për Studime Krahasuese të Konfliktit-QSKK’. Qendra  e Burimeve për Drejtësi Tranzicionale bashkëpunon me QSKK, e cila funksionon në kuadër të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në Universitetin Sigmund, në Beograd.

Shkolla verore është një platformë për studentë, akademikë dhe profesionistë për të ngritur pyetje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të shkëmbejnë përvoja dhe mendime mbi paqen dhe konfliktet. Gjatë 10 viteve të fundit shkolla verore ka demonstruar në mënyrë të përsëritur fuqinë e të menduarit kritik dhe mundësitë e pafundme të njerëzve nga kultura të ndryshme që komunikojnë në përpjekje për të kuptuar disa nga konfliktet më të vështira të kohës sonë. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit shkolla u mbajt online dhe ka pasur 59 pjesëmarrës nga 25 vende të botës.Shkolla ka ofruar  5 kurse me tema që lidhen me konfliktin, dy studentet tona  kanë qenë pjesë e kursit “Drejtësia pas mizorive masive: Kërkimi i së vërtetës, ndëshkimi dhe reparacioni”,  ligjëruar nga Dr. Olivera Simic.

Gjatë ligjeratave është diskutuar për Drejtësinë Tranzicionale, krijimin, zhvillimin, sfidat, komisonet e së vertetës, krimet e luftës, gjenocidin, shkeljet mizore të të drejtave të njeriut etj. ‘Këto ligjerata na bënë që të kthehemi prapa në kohë dhe të kuptojmë se e kaluara jonë na ka bërë ata që jemi sot’, shprehet Elsa. Për Arlindën kjo pervojë ka kaluar pritshmëritë e saja, sipas saj,  ‘kur flasim për tema si vendosja e drejtësisë pas mizorive masive në një ambient ku të gjithë i përkasim të njejtës etni, pak a shumë të gjithë kemi një pikepamjë të ngjashme dhe gjithashtu mënyra të përafërta për zgjidhjen e problemeve të cilat konflikti i ka shkaktuar dhe ka pak hapësirë për debat. Perderisa. për një temë të tillë diskutohet në një forum ku pjesëmarrësit vijnë nga vende të ndryshme atëherë sigurisht që edhe çasja e secilit dallon nga njëri-tjetri dhe do të ketë më shumë mundësi për të debatuar’.